Ministri Matoshi: 20 deri në 100 euro do të jetë gjoba për hedhje të mbeturinave

17 tetor 2018 | 13:12

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, ka nënshkruar sot udhëzimin administrativ Nr. 6/2018, i cili parasheh ndëshkime me gjoba mandatore për personat fizik dhe juridik të cilët hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara për hedhjen e tyre.

Me këtë rast në një konferencë për medie, ministri Matoshi ka bërë me dije se qëllimi i këtij udhëzim është eliminimi apo reduktimi i ndotjes, mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit të njeriut, mbrojtja e sipërfaqeve publike dhe private nga ndotja përmes menaxhimit të mbeturinave.

“Krahas fushatës së pastrimit e cila po vazhdon me sukses, zbatimi i këtij udhëzimi do të ndikojë pozitivisht në vetëdijesimin e qytetarëve dhe parandalimin e ndotjes së mjedisit nga hedhja e mbeturinave në vende të pacaktuara dhe djegien e tyre”, ka deklaruar Matoshi.

Ministri Matoshi ka treguar se vlera e gjobës mandatore do të jetë varësisht prej veprimit ndëshkues nga 20 deri në 100 euro.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve dhe medieve që të raportojnë për ata që shkelin dispozitat e këtij udhëzimi.

“Ftoj të gjithë mediet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, të raportojnë nëse shohin se ka hedhje të mbeturinave qofshin ato edhe nga deputetët, ministrat, të cilët mund të shkelin dispozitat e këtij udhëzimi”, është shprehur Matoshi.

Autoritetet që do të zbatojnë këtë udhëzim, sipas ministrit Matoshi,  janë MMPH-ja, Policia e Kosovës,  inspektoratet komunal të mjedisit  si dhe zyrtarët e tjerë të autorizuar.

Ministri ka treguar se ky udhëzim administrativ, parasheh që personi ndaj të cilit shqiptohet ndëshkimi me gjobë mandatore është i detyruar të bëjë pagesën në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e shqiptimit të gjobës ose në të kundërtën do të ballafaqohen me përmbarues.

Udhëzimi administrativ Nr. 6/2018 parasheh që personi i cili hedh cigare në rrugë ose në sipërfaqe publike do të gjobitet 20 euro; hedhja e mbeturinave dhe ambalazheve të ndryshme 30 euro; hedhja e mbeturinave komunale jashtë kontejnerit për mbeturina komunale 40 euro; personat që hedhin cigare apo mbeturina nga automjeti 50 euro; personi i cili i hulumton, djeg, dëmton kontejnerët e mbeturinave komunale dhe u ndërron vendin e atyre 50 euro; personi i cili hedhë çfarëdo lloj mbeturine nga ballkoni ose dritarja e objektit, hedhë mbeturina në pusetat për kanalizim 70 euro; personi i cili hedhë mbeturina nga materialet ndërtimore jashtë vendeve ose kontejnerëve të caktuar si dhe hedhja e  mbeturinave medicinale në sipërfaqe publike ose në natyrë ndëshkohet me 90 euro.

Me këtë udhëzim ndëshkimi me vlerë më të lartë prej 100 euro do të jetë për hedhjen e mbeturinave në lumenj, përroska, liqene, sipërfaqe publike, natyrë, rrugë dhe djegia e mbeturinave në veçanti gomave, plastikës dhe vajrave si dhe djegia e mbeturinave në ara të punueshme apo natyre.

Ky udhëzim administrativ do të hyjë në fuqi në afat prej shtatë (7) ditësh nga nënshkrimi i tij.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqetësimi për klimën e të bërit biznes ishte arsyeja që…