Ministri Matoshi bënë thirrje për pastrimin e Kosovës
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi në prag të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit, institucioneve, bashkësive fetare, subjekteve politike, FSK-së, KFOR-it, shoqërisë civile dhe medieve, t’i bashkëngjiten aksionit nacional i cili fillon nesër më 15 shtator.
Në një konferencë për media, ku morën pjesë anëtarët e task forcës, Matoshi ka treguar se qëllimi i këtij aksioni kombëtar është pastrimi i mbeturinave të grumbulluara tash e 19 vite si dhe vetëdijesimi për ta ruajtur ambientin që na rrethon.
“Thirrja ime për të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet, bashkësitë fetare, subjektet politike, shoqërinë civile dhe mediet është se kudo që nesër jeni, në lagje, rreth punës, shkollave, angazhohuni për një mjedis të pastër sepse meritojmë edhe ne, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm një ambient të pastër sepse bëhet fjalë për shëndetin dhe jetët tona”, ka deklaruar Matoshi.
Ai ka bërë me dije se mbi 30 komuna të Kosovës kanë marrë vendime për themelimin e task forcës komunale që shumica nga to udhëhiqen nga kryetarët e komunave.
“Mbi 30 komuna të Kosovës kanë marrë vendim për themelimin e task forcës lokale. Këto komuna e kanë kaluar testin e parë për të qenë potencialisht komuna të shpërblyera nga MMPH-ja në grantin prej 1.2 milion euro që veç e kemi shpallur si ministri”, ka deklaruar Matoshi.
Ndërsa, drejtori i organizatës “Ta pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, ka treguar se janë përfunduar të gjitha veprimet teknike dhe logjistike për fillimin e aksionit më 15 shtator.
Aksioni qendror “Ta pastrojmë Kosovën” do të fillojë me heqjen e deponisë ilegale afër Kompanisë së Ujësjellësit “KRU Prishtina” për tu përmbyllur tek pika kufitare “Dheu i Bardhë”.
/Epoka e re/