Ministri Matoshi dhe ambasadori austriak koordinohen për bashkëpunimin në fushën e mjedisit
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka pritur të premten në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, me të cilin kanë biseduar mbi bashkëpunimin mes dy shteteve në fushën e mjedisit dhe planifikimit Hapësinor.
Ministri Matoshi pasi ka falënderuar ambasadorin austriak për përkrahjen që shteti austriak po i jep shtetit të Kosovës në vazhdimësi, ka prezantuar prioritetet, angazhimet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet shteti ynë në fushën e mjedisit.
Matoshi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellët në shkëmbimin e njohurive dhe mënyrave të trajtimit të shumë sfidave që kemi para vetes.
“Kërkova nga ambasadori austriak involvimin më të madh të shtetit të Austrisë në projekte të ndryshme në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, qoftë përmes bashkëpunimit me MMPH-në apo përmes projekteve me shoqërinë civile”, ka thënë ministri Matoshi.
Matoshi e Pfandler diskutuan edhe për përkrahjen që shteti austriak po i jep pyllit të arinjve në Prishtinë dhe për trajtimin e duhur të arinjve në vendin tonë.
Ambasadori Pfandler shprehu gatishmërinë e tij dhe të shtetit që përfaqëson që të rrisë bashkëpunimin me ministrinë e mjedisit në tejkalimin e sfidave që kemi para nesh.
/Epoka e re/