Ministri Matoshi dhe kryetari Bahtiri së bashku në pastrimin e Mitrovicës
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, të dielën së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri kanë marrë pjesë në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, i cili aksion ka filluar më 15 shtator.
Matoshi para qytetarëve të mobilizuar për këtë aksion ka thënë se Komuna e Mitrovicës dhe e gjithë Kosova do të jenë më të pastra falë vullnetit të të gjithëve.
“E filluam në Mitrovicë dhe do të zgjasë deri më 22 shtator në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës. Po ashtu jemi këtu për t’i dhënë mbështetje edhe aksionit ‘Ta pastrojmë Kosovën’ që e kemi filluar dje dhe do vazhdojë deri më 15 dhjetor”, ka thënë Matoshi.
Ai ka falënderuar qytetarët, përfaqësuesit e institucioneve, bashkësitë fetare, FSK-në dhe KFOR-in për mbështetje në këtë aksion nacional për pastrimin e vendit.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pohuar se kjo komunë do t’i ngjajë komunave evropiane.
Ministri Matoshi së bashku me kryetarin Bahtiri, kanë filluar aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” duke përshkruar rrugën nga objekti i komunës se Mitrovicës, deri te rrethi në pjesën veriore.
Së bashku, Matoshi dhe kryetari Bahtiri i janë bashkangjitur vullnetarëve për të pastruar edhe në fshatin Bare të Mitrovicës.
/Epoka e re/