Ministri Matoshi: Më 28 nëntor përurojmë projektin e lumit Mirusha në Gjilan
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi dhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për financimin e projektit për rregullimin e shtratit të lumit Mirusha në Gjilan.
Me këtë rast ministri Matoshi ka treguar se MMPH-ja përmes financimit të këtyre projekteve po ndihmon komunat në rrugën e tyre të krijimit të një mjedisi të pastër.
“Jam i lumtur që sot përmes nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me kryetarin Haziri, po financojmë projektin e rregullimit të shtratit të lumit Mirusha në Gjilan, të cilin këtë vit e financojmë në vlerë prej 250 mijë euro”, ka deklaruar Matoshi.
Ai ka thënë se MMPH-ja këtë vit në Gjilan së bashku me komunën investon edhe në rregullimin e parqeve dhe zonave të gjelbëruara rreth Mirushës dhe investimi i tërësishëm në hapësirat gjelbëruese në Gjilan sipas këtij projekti arrin në vlerën e 700 mijë eurove.
Matoshi ka treguar se MMPH-ja mbështet dhe financon në Gjilan edhe 3 projekte tjera, pastrimin e shtretërve të lumenjve Morava dhe Stanishorka, krijimi i zonave të gjelbëruara në Gjilan dhe ndërtimin e kanalizimit në shtratin e lumit në Doberqan-Gjilan.
Po ashtu ai ka theskuar se Komuna e Gjilanit është fituese edhe e grantit të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”.
“Të gjitha këto projekte do të ndikojnë pozitivisht në përmirësim të gjendjes së mjedisit, evitim të përmbytjeve dhe ruajtje të biodiversitetit, për të mundësuar një jetë më të mirë dhe mundësi për zhvillim të bujqësisë dhe veprimtarive tjera”, ka theksuar Matoshi.
Ai ka thënë se këto projekte do të realizohen me kohë dhe do të kenë një menaxhim efikas nga komuna e Gjilanit.
Ministri Matoshi ka inkurajuar kryetarin Haziri që të vazhdoj me angazhimin e tij në përmirësimin e gjendjes se mjedisit në këtë komunë dhe për këtë ai ka thënë se përkrahja e ministrisë nuk do të mungoj.
Ndërkohë kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar ministrin Matoshi, për përkrahjen e vazhdueshme që po i jep kësaj komune në realizimin e projekteve mjedisore.
Matoshi e Haziri janë dakorduar që më 28 nëntor të këtij viti me një ceremoni zyrtare të përurojnë projektin e lumit Mirusha në Gjilan.
/Epoka e re/