Ministri Matoshi: Nxënësit janë ambasadorë të mjedisit
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, sot ka pritur në një takim nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave fituese të “Eco Gara”, në kuadër të programit për ngritje të vetëdijes në institucione edukative dhe fuqizimin e vullnetarizmit rinor për një mjedis të pastër, projekt ky që po realizohet nga “GAC”, më mbështetjen financiare të GIZ-it.
Me këtë rast ministri Matoshi ka thënë nxënësit meritojnë të jetojnë dhe shkollohen në ambient më të mirë dhe të pastër.
“Të dashur nxënës, ju meritoni që të jetoni në një ambient shumë më të mirë dhe shumë më të pastër. Fatkeqësisht ne të rriturit nuk kemi qenë aq sa duhet të përgjegjshëm për gjatë periudhës së kaluar, edhe për shkak të sfidave tjera që kemi pasur si shoqëri por edhe për shkak se shumë shkolla kanë qenë të dëmtuara për gjatë kohës së luftës dhe ka qenë obligim i shtetit që në radhë të parë të krijojmë shkolla të mira për ju andaj pa dashjen tonë ambienti ka mbetur pak anash”, është shprehur Matoshi.
Ai ka kërkuar nga drejtorët dhe mësimdhënësit e shkollave t’i mbështesin klubet e gjelbra që janë krijuar në shkollat që ata drejtojnë.
“E di që në 30 shkolla të Kosovës janë themeluar klubet e gjelbra. Ju lus të nderuar drejtor dhe përfaqësues të shkollave që t’i mbështesni këto klube të gjelbra dhe po ashtu edhe nga nxënësit kërkoj që të bëjnë presion më të madh tek drejtorët dhe mësuesit për mbështetjen e tyre. Unë ju garantoj që MMPH-ja do ju mbështes në iniciativa me mundësitë tona buxhetore”, ka theksuar Matoshi
Ai ka falënderuar GIZ-in gjerman dhe GAC-in për realizimin e këtij projekti mjaft të rëndësishëm për nxitjen dhe krijimin e kulturës mjedisore tek gjeneratat e reja.
E pranishme në këtë takim ka qenë edhe përfaqësuesja e GIZ-it gjerman, Evelina Rathie e cila ka thënë se nxënësit janë e ardhmja që duhet mbështetur.
“Ju inkurajojmë që të t’i shtyni sa më shumë nxënësit që të punojnë rreth çështjes së ambientit sepse ne besojmë fuqishëm se nxënësit janë e ardhmja e Kosovës drejt kësaj teme”, ka thënë Rathie.
Ndërsa drejtoresha e GAC-it, Merlina Beu- Muçaj ka theksuar se projekti “Eco gara”, fillimisht ka nisur në dhjetë shkollat e Kosovës e që më pas është zgjeruar në nivel nacional.
“Në garë kanë marrë pjesë rreth 300 institucione ndër të cilat vetëm 30 janë përzgjedhur si shkolla që do të jenë fituese në kuadër të garës për oborr më të pastër”, ka deklaroi Beu- Muçaj.
Ministri Matoshi ka shpërndarë mirënjohje për 30 shkolla fituese në garën për oborr të pastër si dhe mirënjohje për tri shkolla ku nxënësit e klubeve të gjelbra kanë fituar në garën “Arti i Ripërdorimit”.
/Epoka e re/