Ministri Matoshi thotë se Kosova ka avancuar në administrimin e tokës
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, ka marrë pjesë në takimin e Komitetit ndërministror për administrimin e tokës, në të cilën është diskutuar për të arriturat dhe sfidat që ka Agjencia Kadastrale e Kosovës si janë shpalosur rekomandimet e donatorëve për këtë agjenci.
Me këtë rast ministri Matoshi, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës njeh peshën e administrimit të tokës si nga aspekti i zhvillimit ekonomik po ashtu edhe nga aspekti i mirëqenies sociale për secilin qytetar të Republikës së Kosovës pa dallim gjinie, gjuhe apo etnie.
“Pikërisht për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe agjencive të saj vartëse ofron tërë potencialin e saj në avancim të administrimit të tokës, duke u përpjekur të ndjek trendët në shtetet e zhvilluara përmes avancimit të legjislacionit, ngritjes së kapaciteteve profesionale, avancimit të teknologjisë së informacionit dhe përmes investimeve kapitale”, është shprehur Matoshi.
Ai ka theksuar se rezultatet e kësaj përkrahjeje kanë qenë konkrete dhe të prekshme si për qytetarët po ashtu edhe për institucionet.
“Tatimi i tokës, sistem i unifikuar i adresave, regjistra të sigurt pronësorë, investime në bujqësi, mjedisit më i shëndetshëm, infrastrukturë e zhvilluar rrugore, shkëmbin më i shpejtë e me i sigurt i të dhënave, ofrimi i shërbimeve të ndryshme publike janë disa nga fushat ku po shënohet avancim konkret”, ka deklaruar Matoshi.
Ministri Matoshi u ka ofruar mbështetje Agjencisë Kadastrale të Kosovës duke thënë se çdo rekomandim i tyre dhe i donatorëve ndihmon dhe lehtëson politikbërjen dhe vendimmarrjen.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, ka thënë se bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të akterëve, është një strategji e qartë dhe e nevojshme gjatë zhvillimit të administrimit të tokës në Republikën e Kosovës.
“Administrimi i tokës po hynë në një fazë më dinamike. Kjo fazë dhe dinamikë kërkon nga ne që të ndryshojmë shumëçka si në aspektin e koordinimit të aktiviteteve, të avancimit profesional, të avancimit të legjislacionit, të shërbimeve, të ofrimit të produkteve me kualitet sa më të lartë, ngritjen e kualitetit të të dhënave ekzistuese, avancimin në mënyrën e shpërndarjes së të dhënave si dhe avancimin në aspektin e teknologjisë informative”, ka deklaruar Ahmeti.
/Epoka e re/