Ministri më i pasur i Kurtit, ka borxhe në vlerë gati një milion euro

16 qershor 2022 | 08:12

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, po del të jetë më i pasuri nga kabinet i qeverisë Kurti. Patundshmëritë e tij kanë vlerë mbi 2 milionë euro. Ka të kursyera 100 mijë euro në “Bank of America” dhe ka katër vetura. Ka edhe borxhe. Pas tij renditet ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, raporton Express.

Përderisa kryeministri Albin Kurti nuk ka as shtëpi e as banesë dhe banon me qira, një prej ministrave të tij ka shtëpi e banesa në vlerë mbi 2 milionë euro.

Vetëm për njërën prej tyre, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka shpenzuar 1 milion e 500 euro.

Latifi ka edhe një banesë në vlerë 130 mijë euro dhe dy shtëpi pushimi. Njëra kushton 600 mijë euro, tjetra 450 mijë.

Ai ka edhe një tokë të familjes në vlerë 30 mijë euro.

I pari i Shëndetësisë duket se është edhe merakli i veturave. I ka katër të tilla. Më e lira prej tyre kushton 28 mijë euro, më e shtrenjta 50 mijë. Vlera e tyre në total është 138 mijë euro.

Ministri ka edhe mijëra euro të kursyera. Në “Bank of America” ai ka 100 mijë euro.

Ndërkohë, borxhet e tij gati e arrijnë milionëshin. 600 mijë euro thotë se i ka marrë kredi për blerjen e shtëpisë në Nju-Jork, 250 mijë për blerjen e shtëpisë në Arizona dhe 150 mijë të tjera për blerjen e shtëpisë tjetër në Arizona.

Njërën prej kredive e ka marrë për 30 vjet, dy të tjerat për 15 vjet.

Të hyrat vjetore s’i ka deklaruar fare.

Në fund të deklarimit, Latifi ka treguar edhe për pasuritë e tjera që ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Unë kam në ShBA edhe këto pasuri: 1. Pensionime nga punësimet në Virginia, Arizona dhe New York që janë në stock market me vlerë 1 milion US dollar”, thuhet në deklarim.

Latifi ka deklaruar se ka edhe një tokë me 215 ari në zonën kadastrale në Graçanicë, që thotë se ka vlerë 1.5 milion euro, por që është në emër të motrës së tij.

“2. Kam tokë 215 ari në zonën kadastrale Graqanicë, investime të bëra gjatë viteve 2008-2012, me vlerë të sotme 1.5milion euro të cilat i kam blerë me kursime nga puna ime në SHBA dhe në Doha, Katar, dhe janë në emër të motrës time H.L”, thuhet në deklarimin e Latifit.

Me pasuri pas tij renditet ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka deklaruar një shtëpi dhe një lokal afarist si patundshmëri, vlera e të cilave shkon në 1 milion e 250 mijë euro. Pronësia e tyre është e përbashkët dhe Sveçla thotë se janë trashëgimi nga prindi.

Si pasuri të luajtshme, Sveçla e ka deklaruar veturën e bashkëshortes që kushton 2 600 euro.

Gruaja e tij ka aksione në dy klinika. Në njërën ka aksione në vlerë 6 mijë euro, në tjetrën 100 mijë.

Para të gatshme në bankë, Sveçla ka thënë se i ka 708 euro, kurse gruaja e tij rreth 1 600.

Sveçla është në kredi 3 884 euro, që thotë se e ka marrë për renovimin e shtëpisë, kurse gruaja e tij ka marrë kredi 50 mijë euro për investim në biznes.

Të hyrat vjetore të tij sillen rreth 17 mijë euro, kurse bashkëshortja e tij merr rreth 23 mijë euro në vit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryekuvenadri Glauk Konjufca do të udhëtojë për Hagë për t’u…