Ministri Mehaj i telefonon homologut nga Turqia
Me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit bilateral, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka realizuar të hënën një bisedë telefonike me homologun nga Turqia, Hulusi Akar.
Me këtë rast, dy ministrat kanë biseduar për zhvillimet gjeopolitike pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe ndikimit të tij në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Gjithashtu, ata kanë biseduar për stadin aktual të realizimit të projekteve të përbashkëta dhe shtyrjen përpara, në kuadër të planit të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ndër të tjera, ata janë pajtuar edhe për intensifikimin e angazhimit të përbashkët në të ardhmen në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.
Duke njohur pozicionin e rëndësishëm të Turqisë në kuadër të Aleancës Veriatlantike, ministri Mehaj e ka falënderuar ministrin Akar edhe për mbështetjen e deklaruar zyrtare për procesin e përshpejtuar të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO.