Ministri Mehaj: Kosova, e vendosur në rrugën saj euroatlantike

11 nëntor 2021 | 15:33

Me ftesë të homologut të tij kroat, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, mori pjesë në konferencën vjetore të Kartës së Adriatikut-ShBA, në nivel të ministrave të mbrojtjes, të mbajtur më 9-10 nëntor, në Split të Kroacisë.

Paraprakisht, ministri Mehaj përveç takimit me ministrin kroat të Mbrojtjes, Mario Banozic, ka realizuar takime edhe me zëvendësndihmës sekretarin e Mbrojtjes për Rusi, Ukrainë dhe Euroazi, Nathaniel Adler, zëvendësministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Bashkim Hasani dhe drejtorin e Politikave të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes së Malit të Zi, gjeneralmajor Rajko Pesic.

Gjatë punimeve të konferencës, në sesionin kryesor “Sfidat e reja të sigurisë-nxitje për bashkëpunimin e zgjeruar të sigurisë dhe mbrojtjes së A-5”, ministri Mehaj në ekspozenë e tij ka folur për nevojën e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si në rastin e pandemisë me Covid-19 si dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi për rimëkëmbjen rajonale post-covid.

Ai gjithashtu u fokusua edhe për shqetësimin në rritje nga ndërhyrjet e huaja në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë atë të Rusisë dhe Kinës, përmes Serbisë.

Ministri Mehaj u ka potencuar të pranishmëve rrezikun e madh të këtyre kërcënimeve ruse dhe rolit destabilizues të Serbisë si në rastet e fundit në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe tentimit për krijimin e tensioneve në kufi me Kosovën, duke rikujtuar tragjeditë e shkaktuara nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci.

Lidhur me synimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ministri Mehaj ka ftuar të gjitha vendet anëtare të Kartës së Adriatikut që të pajtohen me kërkesën e Kosovës për anëtarësim të plotë në këtë iniciativë të sigurisë rajonale.

“Anëtarësimi ynë në Kartën e Adriatikut-ShBA do të na ofronte një mundësi më të madhe për të kontribuar drejtpërdrejtë në paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë”, ka theksuar ministri Mehaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata Sindikale e Postës së Kosovës ka protestuar lidhur me…