Ministri Mehaj, së bashku me djalin e heroit Skënder Çeku, vizitojnë familjen e dëshmorit Xhemajl Fetahaj
Në Raushiq të Pejës, së bashku me Albanin djalin e heroit Skënder Çeku, vizituam familjen e dëshmorit, Xhemajl Fetahaj, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, pas vizitës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Një jetë në shërbim të atdheut, kjo është përmbledhja më e përafërt e gjithë angazhimit të vazhdueshëm të dëshmorit Xhemajl Fetahaj dhe familjes së tij, për lirinë e vendit.
Që nga mosha e hershme ishte aktivizuar në aksione të ndryshme kundër regjimit serb, në shkrimin e parullave dhe në organizimin e demostratave për të cilat në vazhdimësi ishte i përndjekur, e më pas i burgosur. Por as burgu nuk e s’mbrapsi vetëm sa e forcoi edhe më shumë në rrugën e nisur. Pas vuajtjes së burgut Xhemajli kishte filluar misionin e pajtimit të gjaqeve, duke qenë i bindur se vetëm të bashkuar mund t’i japim fund okupatorit.
Për shkak të përndjekjes detyrohet të emigrojë në Gjermani. Nga atje vazhdon aktivitetin e tij, i cili ishte i fokusuar në mbledhjen e fondeve, furnizimin me armatim dhe rekrutimin e ushtarëve të rinj për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pikërisht në pranverën e vitit 1999 ai kthehet nga Gjermania dhe vendoset në vijën e parë të frontit në Koshare, në kuadër të brigadës 138 Agim Ramadani. Aty lufton deri në rënien e tij heroike, shquhej për guximin dhe zhdërvjellsi duke depërtuar brenda zonës së armikut dhe duke korrur fitore.
Lavdi Xhemajlit dhe të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!