Ministri Mustafa po merr pjesë në forumin rajonal të Sofjes
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa, me ftesë të ministrit të Brendshëm bullgar, Mladen Marinov, është dujke marrë pjesë në punimet e Forumit rajonal të ministrive të brendshme për kundërveprim ndaj korrupsionit të brendshëm, i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Qëllimi kryesor i Forumit është zgjerimi i bashkëpunimit operacional në kundërveprim ndaj korrupsionit të brendshëm, si dhe diskutimi i mundësive për më shumë aktivitete të përbashkëta në nivel rajonal sa i përket këtij bashkëpunimi.
Me iniciativën e Bullgarisë, në vitin 2016 është krijuar një rrjet për bashkëpunim të zgjeruar rajonal të njësive të sigurisë së brendshme (NERCISU) me pjesëmarrjen e njësive përkatëse të ministrive të punëve të brendshme të disa vendeve ballkanike. Rrjeti funksionon si një platformë për bashkëpunim aktiv rajonal operacional me linjën 24/7 për koordinimin dhe shkëmbimin e informacionit dhe inteligjencës.
Me këtë rast ministri Mustafa, në diskutimin e tij, ka ofruar bashkëpunimin e plotë të MPB-së së Republikës së Kosovës dhe të gjitha agjencive nën autoritetin e saj, përfshirë edhe Policinë e Kosovës.
Ministri Mustafa u ka bërë thirrje kolegëve të tij nga vendet e tjera të rajonit, të lënë mënjanë çfarëdo kundërshtimi që mund të ekzistojë ndërmjet si rezultat i qëndrimeve politike dhe pikëpamjeve të ndryshme.
“Duke bashkëpunuar në fushën e sigurisë, ne do të jemi më afër njëri tjetrit edhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike ende të pranishme në Evropën Juglindore”, ka theksuar Mustafa.
Ai ka marrë shembull marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë, si një frymëzim për bashkëpunim e mundshëm kudo.
/Epoka e re/