Ministri Mustafa po merr pjesë në konferencën ministrore ‘Procesi i Brdos’
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, po merr pjesë në konferencën e ministrave nga “Procesi i Brdos” e cila po mbahet Shkup, nikoqir i së cilës është Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Temë kryesore e kësaj konference është vlerësimi i zbatimit të deritanishëm të iniciativës për përmirësimin e integrimit të sigurisë së brendshme.
Me këtë rast, ministri Mustafa ka thënë se mekanizmi i qeverisjes integruese të sigurisë së brendshme është duke treguar në vazhdimësi rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në zhvillimin e kapaciteteve dhe forcimin e bashkëpunimit në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Ky mekanizëm ka arritur që të përmirësojë koordinimin e veprimeve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe donatorëve të ndryshëm të pranishëm në rajonin tonë, duke zvogëluar mbivendosjen apo duplifikimin e veprimeve”, ka thënë ministri Mustafa, duke theksuar se koordinimi i donatorëve mbetet ende sfidë me të cilën secili nga shtetet tona përballet dhe duhet të intensifikojmë më shumë përpjekjet për të rregulluar këtë fushë.
Përkundër progresit të arritur të rajonin në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, krimeve të rënda dhe sigurisë kufitare, ministri Mustafa ka theksuar se ka ende shumë punë të bërë për të arritur standardet evropiane.
Në fjalën e tij para ministrave, ministri Ekrem Mustafa ka pohuar se Kosova ka treguar rezultate të mëdha në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, të cilat janë pasqyruar edhe në raportet e Bashkimit Evropian.
Ai ka bërë me dije se përveç veprimeve efikase të agjencive të zbatimit të ligjit, janë ndërmarrë masa të shumta parandaluese si themelimi i mekanizmave referues për rastet e radikalizmit dhe themelimit të Divizionit për Parandalim dhe Riintegrimin e Personave të Radikalizuar, të cilat po merren si shembuj nga shtetet tjera.
/Epoka e re/