Ministri Mustafa pret në takim ambasadorin Kosnett, e informon për sektorin e bujqësisë
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili i ishte i shoqëruar nga drejtori i Zyrës për Zhvillim Ekonomik në USAID, Joshua Mike dhe specialistja e menaxhimit të projekteve në USAID, Besa Ilazi.
Ministri Mustafa ka falënderuar ambasadorin Kosnett për mbështetjen që shteti i tij, një mik i përhershëm, i ka dhënë Kosovës në avancimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit.
Mustafa ka shpalosur vizionin dhe programet zhvillimore që do të zbatohen në përkrahje të tri sektorëve të bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural gjatë këtij mandati.
“Do të përqendrohemi në përkrahjen e rritjes së produktivitetit dhe cilësisë, duke subvencionuar outputet e jo inputet dhe duke rritur qasjen në financa për agroprodhuesit dhe agropërpunuesit përmes garantimit të agro-kredive investuese dhe themelimit të Fondit për Siguri Bujqësore”, u shpreh ministri Mustafa.
Ambasadori Kosnett e uroi ministrin Mustafa për detyrën e re duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy shteteve tona.
/Epoka e re/