Ministri Mustafa priti në takim të ngarkuarin me punë të ambasadës së Maqedonisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka pritur sot në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Maqedonisë Veriore në Kosovë, Rexhep Saliu, me të cilin diskutuan për gjendjen e sigurisë së përgjithshme të dy vendeve.
Me këtë rast, ministri Mustafa vuri në dukje marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, sidomos në sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe avancimin e më tej të bashkëpunimit mes dy policive, si dy vendeve fqinje, në parandalimin e aktiviteteve kriminale.
“Deri më tani bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e sigurisë ka funksionuar jashtëzakonisht mirë, mbetem i përkushtuar që të avancojmë edhe më tej në fushat e bashkëpunimit të përbashkët me qëllim të lehtësimit te lëvizjes së qytetarëve të dy vendeve”, ka thënë ministri Mustafa.
Ndërsa i ngarkuari me punë në Ambasadën e Maqedonisë Veriore në Kosovë, Rexhep Saliu, falënderoi ministrin për pritje dhe theksoi se vendi i tij do të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me Kosovën në fusha të interesit të përbashkët.
/Epoka e re/