Ministri Mustafa takon përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovë
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa, në kudër të aktiviteteve të bashkëpunimit, ka mbajtur takime me përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovë.
Në kuadër të këtyre takimeve ministri Mustafa ka vënë në pah ngritjen e mëtejmë të kulturës së respektit mes besimeve fetare në Kosovë, si një ndër vlerat ekzistuese që vazhdojnë të kultivohen në vendin tonë në respekt të njëri-tjetrit.
Mustafa ka dëgjuar nga afër shqetësimet që kanë përfaqësuesit e bashkësive fetare, duke ofruar mbështetjen e tij si ministër dhe të agjencive të zbatimit të ligjit në Kosovë, për parandaluar çfarëdo rasti, apo incidenti që mund të cenonte sigurinë në Kosovë.
“Organet e rendit janë duke bërë punë shumë të mirë në ofrimin e sigurisë së përgjithshme dhe është e rëndësishme që kjo të reflektohet në perceptimin e qytetarëve për konceptin e sigurisë, që pavarësisht çka punojnë apo përfaqësojnë të ndjehen të sigurt”, ka theksuar Mustafa.
Në këto takime ministri Mustafa ka vlerësuar angazhimin e përfaqësuesve të bashkësive fetare në Kosovë për rolin e tyre që kanë pasur në pjesëmarrje të forumeve të sigurisë në Kosovë, që kanë ndikuar drejtpërdrejtë tek qytetarët besimtarë që të mbajë vijën e besimin dhe të parandalojnë radikalizmin e mundshëm, me qëllim që më pastaj të mos reflektohet në sigurinë e tjerëve.
Ndërsa, përfaqësuesit e bashkësive fetare kanë vlerësuar angazhimin e ministri Mustafa dhe janë shprehur të gatshëm që të jenë në dispozicion në kuadër të përgjegjësive që kanë për ndihmuar në ngritjen e vetëdijes së përgjithshme të gjithë besimtarëve në Kosovë.
Komunikimi me bashkësitë fetare identifikon nevojën për të diskutuar hapur shqetësimet dhe nevojat e dy anshme. Ky komunikim do të ndihmojë në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe besimeve, në mënyrë që qytetarët të kenë siguri dhe që të respektojnë tjetrin, pavarësisht dallimeve apo besimeve që kanë.
/Epoka e re/