Ministri në detyrë Tahiri: Zgjedhjet janë të pashmangshme
Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka reaguar ndaj raportimit në disa media për prononcimin e tij gjatë mbledhjes së sotme të kabinetit të dorëhequr qeveritar, duke e cilësuar interpretimet e disa mediave si keqinterpretime të diskutimit të tij gjatë kësaj mbledhje.
Kjo është deklarata e plotë e ministrit në detyrë Tahiri:
Pas raportimeve të disa portaleve për zhvillimet e ditës së sotme gjatë mbledhjes së ftuar nga Kryeministri i dorëhequr, me ç’rast kam vërejtur një keqinterpretim të diskursit që kam zhvilluar në mbledhje, mbi atë se gjoja Partia Demokratike e Kosovës nuk është e gatshme për zgjedhje, dëshiroj të korrigjoj këto media dhe të njoftoj qytetarët e vendit mbi përmbajtjen e vërtetë të diskursit që kam zhvilluar.
Përballë situatës në të cilën gjendemi, ka qenë e nevojshme që krahas zgjedhjeve të cilat janë të pashmangshme, duhet të mendojmë edhe për aspektet operative që ndërlidhen me to, rrjedhimisht buxhetin për zgjedhjet.
Në këtë drejtim, kam ngritur një pyetje legjitime mbi atë se cilat janë proceduat që duhet ndjekur për të siguruar buxhetin për mbajtjen e zgjedhjeve, përderisa diçka e tillë nuk është e paraparë këtë vit në planin buxhetor për shkak se rëndom viti 2019 nuk është planifikuar si vit elektoral. Kjo është diçka që nuk mund të anashkalohet dhe verifikimi i mandatit të Qeverisë në dorëheqje për të siguruar buxhetin për zgjedhjet është më se i nevojshëm.
Por, kjo pyetje legjitime në rangun e disa mediave është interpretuar si qëndrim i Partisë Demokratike të Kosovës, me pretekstin se PDK-ja po përpiqet t’i shmangë zgjedhjet. Realiteti që ndajmë aktualisht ka vetëm dy gjëra që janë të pashmangshme. Faktin se qeveria është qeveri në dorëheqje në njërën anë, dhe faktin se zgjedhjet janë të domosdoshme dhe pa alternativë në anën tjetër.
Qëndrimet e PDK-së për situatën dhe disponueshmërinë e plotë për zgjedhje e ka shfaqur edhe Kryetari i PDK-së, z. Kadri Veseli.
PDK-ja, si partia më e madhe në vend, është e gatshme për zgjedhjet nacionale në çdo moment nga ky që po flas, dhe kjo gatishmëri është e lidhur ngushtë edhe me gatishmërinë tonë të pa kompromis për t’i ofruar vendit një qeverisje kuptimplotë dhe funksionale, që i jep fizionomi të re aspiratave tona për një shtet ekonomikisht të fortë, në rrugë të pakthyeshme drejt integrimeve evropiane dhe partneritetit afatgjatë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/Epoka e re/