Ministri norvegjez i Shëndetësisë: Pandeminë e kemi nën kontroll
Ministri i Shëndetësisë i Norvegjisë, Bent Höie, ka njoftuar se vendi ka vënë nën kontroll pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Höie në një konferencë për media tha se në Norvegji para masave kundër COVID-19 një person infektonte 2,5 persona, ndërsa pas masave të ashpra të ndërmarra muajin e kaluar shifra ka rënë në 0,7.
“Po të mos kishim marrë masa të ashpra do të përjetonim atë që ndodhi në vendet e tjera evropiane”, tha ai.
Sipas të dhënave të përditësuara statistikore, ai bëri të ditur se në vend nuk ka rritje të numrit të rasteve me koronavirus. Ai shtoi se numri i pacientëve që ndodhen në spitale do të zvogëlohet në ditët në vijim.
Në Norvegji janë testuar 111 299 persona, ndërsa prej atyre 5 755 janë diagnostikuar me koronavirus. Deri më tani 59 persona kanë humbur jetën në këtë vend.