Ministri Peci: Fermerët që shkaktojnë zjarrëvenie të qëllimshme, do të përjashtohen për 3 vite nga subvencionet
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se kushdo nga fermerët që shkakton zjarrëvenie të qëllimshme në parcelat e punueshme do të përjashtohet në programet e ardhshme për tre vitet e ardhme në aspektin e subvencionimit të granteve.
Ministri këtë e ka bërë të ditur pas mbledhjes së Qeverisë në një konferencë për media.
Peci ka thënë se djegia e hamulloreve është e dëmshme sepse shkakton efekte negative, ndikon në ndotjen e mjedisit
“Dua të përsërisë njërin prej apeleve që e kam dhënë edhe më shumë, është prezenca e zjarreve që po dëmtojnë pyjet e Kosovës në disa zona, dua të përcjell mesazhin tek kategoria e fermerëve dhe me atë që merret me aspektin e zjarreve. Kushdo që shkakton zjarrëvenie të qëllimshme në parcelat e punueshme do të përjashtohet në programet e ardhshme për tre vitet e ardhme në aspektin e subvencionimit të granteve. Jemi në koordinim me ministrinë përkatëse, dhe me inspektorët e mjedisit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme”, ka thënë Peci.
“Zjarrëvenia është e kundërligjshme është e dënueshme varfëron tokën dhe shkakton dëme të pakthyeshme në aspektin mjedisor por dhe material. Djegia e hamulloreve është e dëmshme sepse shkakton efekte negative, ndikon në ndotjen e mjedisit por edhe në aspektin e Florës dhe Faunës. Në shumë raste po rrezikohen edhe pronat afër zjarreve. Personat e papërgjegjshëm që po ndezin hamulloret duke menduar gabimisht që kjo po lehtëson punën në bujqësi është pikërisht e kundërta sepse kjo dukuri shkakton mikroorganizma dhe materiale ushqyese të dobishme në aspektin e prodhimit bujqësor”, u shpreh Peci.