Ministri Peci inicion lirimin e hapësirave te Tregu i Automjeteve
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se e ka iniciuar lirimin e hapësirave te Tregu i Automjeteve në Prishtinë, pasi sipas tij, aty po kryhej tregtim e therje e bagëtive me kushte të dobëta higjienike, të cilat rrezikojnë shëndetin e njeriut.
“Një çerek shekulli liri e tregtim, therje barbare të shpezëve dhe rrezikim i shëndetit publik; të gjitha këtyre duhet t’iu vijë fundi! Komunat duhet ta përmbushin detyrimin ligjor! Iniciova këtë aksion për vetë faktin se veprimtaritë e tilla pa kushte higjienike rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Ka qenë interesim i imi të bashkëbisedoj me të gjithë ata që frekuentojnë këto hapësira për shitjen dhe therjen e bagëtive që së bashku të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që këto veprime të mos përsëriten”, ka shkruar Peci në “Faceboook”.
Peci ka se do të angazhohet që së bashku me kryetarët e komunave ta gjejnë një zgjidhje të përbashkët pasi pamjet e therjeve e gjakosjeve në hapësira publike buzë rrugëve, sipas tij, nuk u përkasin shoqërive evropiane.
“Gjithashtu ekziston edhe një numër i madh i faktorëve mikrobiologjik qe e infekton/kontaminon mishin që nxirret nga shpezët të cilat theren në kushte johigjienike duke ju ekspozuar pluhurit, tymit të automjeteve dhe shumë papastërtive të tjera”, ka shkruar Peci.
Ai ka se tregtarët dhe blerësit duhet ta kuptojnë se ky lloj i të bërit pazar është i rrezikshëm për shëndetin veterinarë (fondin e shpezëve), por edhe për shëndetin njerëzor.
“Kësaj problematike jam i interesuar t’i bëj zgjidhjen me të mirë pa e dëmtuar asnjë grup shoqëror. Nga kryetarët e komunave do të kërkoj të bëhen veprimet për caktim lokacionesh, regjistrim nga komuna, pastaj titullari të regjistrohet si subjekt në ARBK- MINT dhe pas këtyre hapave ta finalizojë edhe regjistrimin apo licencimin në AUV”.
“Pas kësaj këto lokacione do të hynin në planet nacionale për kontroll zyrtar të AUV-së, ku brenda tyre do të lejohej edhe tregtimi i produkteve ushqimore në hapësira të veçanta duke respektuar kushtet që duhet t’i plotësojnë. Therjet lejohen vetëm në thertore të licencuara në asnjë vend tjetër”, ka shkruar Peci.
Ai ka thënë se shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve është gjëja me e çmueshme që ka një vend, “andaj nuk do të lejojmë askënd që ta rrezikojë”.