Ministri Peci pezullon pesë zyrtarët që ishin arrestuar kohë më parë
Pesë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë janë pezulluar përkohësisht nga puna me kërkesë të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Në njoftimin e kësaj ministrie thuhet se ky vendim është marrë për vendosjen e ligjshmërisë dhe rendit brenda institucionit.
“Ky vendim është marrë si domosdoshmëri për zbatimin e bazës ligjore në fuqi, si dhe njoftimit të marrë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të datës 03 mars 2021, për masat e ndërmarra ndaj këtyre zyrtarëve, të cilët dyshohen për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i detyrës zyrtare””.
Vendimi për pezullimin nga marrëdhënia e punës do të jetë në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet përgjegjëse.
Zyrtarët e pezulluar ishin arrestuar gjatë muajit shkurt nën dyshimin për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i detyrës zyrtare.