Ministri Peci: Viti 2023, më i suksesshmi për bujqësinë

27 dhjetor 2023 | 11:24

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci, e ka quajtur vitin 2023 si të suksesshëm për bujqësinë.

Në konferencën përmbyllëse të vitit, Peci ka thënë se këtë vit 31 mijë fermerë kanë përfituar në kuadër të subvencioneve në vlerë prej mbi 61 milionë euro.

Ndërsa janë miratuar 491 projekte të granteve në vlerë prej 24.2 milionë euro.

“Nëse vitit 2023 i vendosim një shifër për bujqësinë, ajo është vlera prej 85 milionë eurosh përmes së cilës është shpërblyer puna dhe mundi i bujkut tonë të vyer. Në kuadër të kësaj, janë miratuar 491 projekte të granteve në vlerë prej 24.2 milionë eurosh, ndërsa 31 mijë është numri i përfituesve të subvencioneve në vlerë prej mbi 61 milionë eurosh. Viti që po lëmë pas, ka qenë viti më i suksesshëm për sektorin e bujqësisë, një vit i mbarë dhe i begatisë. Ky vit është sinonimi i rekordeve në disa sfera si në të mbjella, në mbështetje ndaj fermerëve si dhe në rritje të numrit të përfituesve në Programet mbështetëse të Ministrisë”, u shpreh Peci.

Ministri Peci ka folur edhe për përkrahjen që ky dikaster u ka dhënë bujqve, duke sqaruar se sipërfaqet e mbjella janë rritur për 63 për qind, ndërsa është shënuar rritje e eksportit të produkteve bujqësore për 29% krahasuar me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë kohore, raporton EO.

Ai ka folur edhe për ratifikimin e marrëveshjeve në Kuvend.

“Kemi tatifikuar në Kuvend marrëveshjen mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë gjermane në vlerë prej 20.2 milionë euro për grante në agroturizëm, ekoturizëm dhe zhvillim rural, nga të cilat 10.2 milionë janë financim i Qeverisë së Gjermanisë. 9.2 milionë euro është vlera e grantit nga Komisioni Evropian për investime e ngritje të kapaciteteve në sistemin e ujitjes për vitet e ardhshme. Ndërsa 7 milionë është vlera me të cilën do të përkrahet Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, për procesin e akreditimit që do të fillojë gjatë Janarit/Shkurtit të vitit 2024. Kjo do t’i mundësojë fermerit të Kosovës që nga viti 2026 të ketë qasje në fonde nga 50 milionë deri në 100 milionë euro krahas buxhetit vendor. Për të dytin vit me radhë jemi ballëhapur përballë fermerëve duke paguar deri në centin e fundit obligimet kontraktuale ndaj tyre. 7.2 milionë është vlera me të cilën kemi mbështetur gratë fermere në kuadër të Programit për Zhvillim Rural, kemi thjeshtuar kriteret e aplikimit në Programet Mbështetëse duke shtuar numrin e kontrolleve në teren”, u shpreh ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qeverinë…