Ministri Quni dhe ambasadorja franceze dakordohen për bashkëpunim në fushën e sigurisë
Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, në vazhdën e vizitave të ambasadorëve të vendeve mike, ka pritur të mërkurën në Ministrinë e Mbrojtjes, ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.
Quni ka falënderuar ambasadoren Butel për vizitën e saj dhe ka shprehur falënderimin për Republikën e Francës, si vend mik, në mbështetjen e ofruar vendit tonë deri më tani në të gjitha fushat, duke theksuar rolin e saj në sigurinë e përgjithshme, në vitet e rindërtimit dhe zhvillimit të vendit me kontingjentin ushtarak të KFOR-it.
Ministri Quni ka theksuar rëndësinë e madhe që ka finalizimi i procesit të nisur për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes të Francës, duke pasur parasysh përvojën e madhe të forcave ushtarake franceze në përgjithësi dhe në realizimin e suksesshëm të operacione paqeruajtëse në veçanti, me kërkesën edhe për këshillëdhënie profesionale ushtarake.
“Pjesëmarrja në operacione paqeruajtëse është ndër detyrat kryesore ligjore të FSK-së, andaj edhe synim yni është zhvillimi i aftësive dhe kapaciteteve operacionale kompatibile dhe të ndërveprueshme me forcat e vendeve partnere dhe anëtare të NATO-s. Ky synim do të kurorëzohet me ofrimin e mundësisë për ofrimin e kontributit tonë në kuadër të forcave shumëkombëshe për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe më gjerë”, ka thënë ai.
Ndërsa, ambasadorja Butel ka uruar ministrin Quni për marrjen e detyrës së re duke njoftuar për interesimin e Francës për zhvillimet në FSK dhe procesin e tranzicionit të saj.
Ajo ka shprehur gatishmërinë e shtetit francez që përmes Ministrisë së saj të Mbrojtjes dhe atasheve ushtarakë respektivë, ndërmjet dy vendeve të thellojnë kontaktet me diskutimin përmbajtjesor të temave me interes të përbashkët deri në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit bilateral.
Ambasadorja Butel, ndër tjera shprehu edhe interesimin për projektin e shërbimit të obligueshëm ushtarak, për të cilin, ministri Quni e informoi nga këndvështrimi profesional duke theksuar rëndësinë e këtij projekti; nga dimensioni edukativ, arsimor, social, ndërkomunikues, integrues dhe kultivimin e vlerave të mëdha që ka diversiteti kulturor, etnik dhe fetar i vendit për gjeneratat e reja.
Butel premtoi se Republika e Francës do të vazhdojë bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në dhe bashkë me ministrin Quni u dakorduan që të arrihet marrëveshja e bashkëpunimit bilateral me interes në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së përgjithshme.
/Epoka e re/