Ministri Quni uron homologen maqedonase për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ka uruar ministres së Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Radmila Shekerinska, me rastin e pranimit të këtij shteti në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Me këtë rast, Quni ka shprehur bindjen se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO nuk është i rëndësishëm vetëm për këtë shtet, por edhe për rajonin.
Ai ka thënë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO rritë mundësitë që të punohet edhe më shumë në mes të dy ministrive të mbrojtjes, duke kontribuar në rritjen e shkallës së sigurisë në rajon.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e pranimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, më lejoni edhe një herë t’ju përgëzoj dhe t’ju siguroj për vlerësimin tim më të lartë”, ka shkruar Quni në letrën e tij , drejtuar homologes maqedonase.