Ministri Reçica inspekton respektimin e të drejtave të punëtorëve në ‘VivaFresh Store’

10 prill 2019 | 15:17

Respektimi i të drejtave të punëtorëve dhe respektimi i ligjit të punës, kanë qenë arsyet që ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka vizituar të mërkurën qendrën tregtare “VivaFresh Store”, nga ku ka thënë se do të jenë të pa kompromis ndaj atyre që nuk respektojnë të drejtat e punëtorëve.

Reçica u ka bërë thirrje edhe punëtorëve që të raportojnë të gjitha parregullsitë që i hasin gjatë punës së tyre.

“Kemi dal sot bashkërisht me Inspektoratin e Punës të informohemi nga afër në lidhje me zbatimin e ligjit të punës, në lidhje me zbatimin e ligjit që ka të bëjë me sigurinë dhe shëndetin në punë, që krejt këto ngërthejnë të drejtat e punëtorëve, sigurinë dhe shëndetin në punë, orarin e punës. Kjo vizitë e jona ka një mesazh të qartë që të përcjellët tek punonjësit dhe tek punëdhënësit që Inspektorati i Punës është duke punuar në drejtim të monitorimit të zbatimit të ligjit të punës dhe ligjit të sigurisë dhe shëndetit në punë. Kjo vizitë duhet të merret si mesazh nga punëdhënësit që normat ligjore të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve duhet të zbatohen”, ka thënë Reçica.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve që të raportojnë parregullsitë apo padrejtësitë që iu bëhen gjatë punës së tyre. Ndërkohë që i pa kompromis ka thënë se do të jenë edhe ndaj Inspektoratit të Punës nëse vërejnë se nuk janë në krye të detyrës.

“Do të jemi të pa kompromis ndaj të gjithë atyre që nuk i respektojnë normat ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve, me sigurinë dhe shëndetin në punë. Po ashtu, ky mesazh i yni sot shkon edhe për Inspektoratin e Punës, që natyrisht do të mbikëqyrim punën e tyre rreth zbatimit të ligjit që ata i mandaton dhe iu jep mandatin për të bërë monitorimin e zbatimit të ligjit që ka të bëjë me sigurinë dhe shëndetin në punë. Natyrisht që edhe ndaj inspektoratit nëse evidentohen shkelje që nuk janë në krye të detyrës natyrisht që do të jemi të pa kompromis ndaj gjithë atyre që do të cenojnë të drejtat e punëtorëve”, ka thënë Reçica.

Ndërsa, drejtori i operacionit në “Viva Fresh Store”, Besnik Sylejmani, ka thënë se kanë një numër të madh të punëtorëve, megjithatë kanë arritur që të mënjanojnë disa nga problemet që i kanë pasur.

Ministri Reçica, i shoqëruar edhe nga Inspektori i Punës, Basri Ibrahimi kanë zhvilluar bashkëbisedim edhe me punëtorët, për të parë nga këndvështrimi i tyre se sa respektohen të drejtat e tyre. Një vizitë e kanë zhvilluar edhe në qendrën e logjistikës së “Viva Fresh Store” në Lipjan.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qytetarë të shumtë, struktura udhëheqëse komunale dhe qendrore, por edhe…