Ministri Reçica kërkon nga Greqia njohjen e Kosovës

29 prill 2018 | 16:04

Në Ballkanin Perëndimor politikat duhet të drejtohen kah fqinjësia e mirë, zhvillimi ekonomik, largimi i barrierave dhe integrimi në Bashkimin Evropian. Kështu ka deklaruar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, në konferencën ndërkombëtare për lidership, “Drejt Ndërvarësisë dhe Prosperitetit të Përbashkët: Roli i Liderëve Fetar dhe Parlamentarëve”, që po mbahet në Vjenë.

Reçica ishte i ftuar, në mesin e shumë përfaqësuesve të nivelit të lartë botërorë, që të diskutojë për temën: “Rrugët e Paqes në Ballkan”, në cilësinë e ambasadorit të paqes dhe si ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ai ka thënë se mburoja e aleatëve të NATO-s është ajo që i duhet dhe do t’i duhet rajonit tonë.

“Në rajon e në këtë rast edhe në Kosovë, jetojmë të lirë duke iu falënderuar përpjekjeve të shumë brezave për liri dhe paqe dhe luftës së fundit të imponuar, qëllimin e së cilës e kuptoi drejtë edhe faktori ndërkombëtar, si rezultat i së cilës, patëm edhe ndërhyrjen e botës demokratike, forcave të NATO-s, të cilave gjithmonë do t’iu jemi falënderues për krijimin e kësaj paqeje, pa të cilën të paktën unë nuk do të isha pjesë e këtij paneli”, është shprehur Reçica.

Sipas tij, rajoni në brishtësinë të tij shihet arenë e përshtatshme për çdo lloj ekstremizmi, duke përfshirë sidomos atë fetar.

“Ekstremizmat po provojnë gjithë këto vite të ndërtojnë një orbitë të tyre, me qëllim interferimi. Përdorimi i fesë për qëllime politike dhe të shtrirjes ushtarake dhe ekonomike, në vetvete nuk është vetëm një ekstremizëm fetar, por edhe një synim me qëllim ndikimi gjeopolitik mbi rajonin”, ka theksuar Reçica, duke shtuar se fatkeqësisht, po mbretëron ende një agjendë për t’u goditur nga politikat agresive, edhe pse Kosova është shumë e angazhuar në ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen dhe sigurinë e të drejtave të njeriut, në veçanti të komuniteteve, të drejta të cilat janë të garantuara edhe me Pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Në këtë rast, dua të theksoj se Serbia jo vetëm që heziton të na njohë, por ajo po bënë shumë për të na penguar në rrugën tonë drejt zhvillimit dhe integrimit. Ajo duhet ta kuptojë, se Kosova është një shtet i pavarur më synim të qartë, zhvillimin ekonomik, ruajtjen e paqes dhe qëllimi kryesor, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. E mira është që populli ynë është i orientuar në qindpërqindshin e vet drejt Perëndimit, duhet që edhe vendet fqinje të kuptojnë se rajoni ka nevojë për dy gjëra krejt bazike: Paqe dhe zhvillim”, është shprehur ai.

Sipas Reçicës, sot të gjithë jemi të bindur se paqja mes nesh ruhet përmes dialogut të brendshëm, duke e pranuar njëri-tjetrin ashtu sikur jemi dhe aty ku jemi, duke e pranuar diversitetin tonë si vlerë e jo si pengesë e rrezik, duke aspiruar bashkimin në familjen e përbashkët, e jo duke i vënë njëri-tjetrit shkopinj nën rrota.

“Vetëm të bashkuar në familjen tonë të përbashkët në Bruksel qoftë për Bashkimin Evropian, qoftë për mbrojtjen e sigurinë nën mburojën e NATO-s, rajoni ynë do të lë pas të kaluarën e mbushur me gjak e luftëra”, ka theksuar Reçica.

Për ta pasur rajonin tonë edhe më të sigurt e më të plotësuar, Reçica ka thënë se duhet që Greqia, si një shtet me traditë të bashkimit evropian ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

“Ne e thërrasim edhe me këtë rast që ajo ta jap shembullin dhe ta bëjë nismën e këtij ngërçi të pesë shteteve të Bashkimit Evropian. Pavarësia e Kosovës është edhe detyrë greke, sepse ne jemi fqinjë dhe kemi shumë rrugë për të bërë bashkë”, ka deklaruar Reçica.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 700 milionë euro është fondi i grumbulluar nga Agjencia…