Ministri Reçica merr mbështetje nga Singapori
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Singapori, ku po zhvillon takime me përfaqësues të nivelit të lartë të këtij shteti.
Gjatë kësaj vizite, ministri Reçica është takuar të martën me ministrin e Shtetit për Çështje të Punësimit dhe Zhvillim Kombëtar të Singaporit, Zaqy Mohamad, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen që ky shtet, në vazhdimësi i ka dhënë Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme, në kuadër të marrëdhënieve bilaterale.
Reçica e ka njoftuar ministrin Mohamad rreth sfidave me të cilat po përballet Kosova, sa i përket papunësisë.
Ai ka theksuar se politikat e Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale janë orientimi në karrierë i të rinjve në përputhje me nevojat e tregut të punës si dhe arsimimi dhe aftësimi profesional i të rinjve.
Ndërsa, ministri Zaqy Mohamad, ka thënë se Singapori mund të mbështesë Kosovën nëpërmjet programeve të ndryshme të trajnimit, për çka së bashku me ministrin Reçica janë dakorduar që në një të ardhme të afërt të konkretizojnë bashkëpunimin.
Po ashtu, Reçica është takuar edhe me ministrin për Zhvillim Social dhe të Familjes, Desmond Lee, të cilin e ka njoftuar rreth gjendjes sociale dhe problemeve me të cilat përballen qytetarët e Kosovës.
/Epoka e re/