Ministri Reçica merr mbështetjen e Bankës Botërore për reformat e ndërmarra
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, ka pritur të martën në takim përfaqësues të Bankës Botërore, të kryesuar nga Stefanie Brodmann, të cilët i ka njoftuar për një varg çështjes dhe reformash të ndërmarra nga MPMS-ja në fusha të ndryshme.
Temë diskutimi në mes të ministrit Reçica dhe përfaqësuesve të Bankës Botërore ishte Ligji i Ri i Punës dhe reformat që po bëhen nga MPMS-ja sa i përket marrëdhënies së punës.
Gjithashtu, në takim u fol edhe rreth reformës së nevojshme pensionale ku ministri ka theksuar se në programin legjislativ të qeverisë për këtë vit, MPMS-ja ka paraparë hartimin e koncept dokumentit për ligjin e pensioneve.
Po ashtu, ministri Reçica ka njoftuar përfaqësuesit e Bankës Botërore për reformat sa i përket qasjes ndaj personave me aftësi të kufizuara, ku bëri me dije se MPMS-ja ka në plan një ligj gjithëpërfshirës për rregullimin e të drejtave për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar.
Ministri ka falënderuar përfaqësuesit e Bankës Botërore për përkrahjen e vazhdueshme, ndërkaq nga ana e tyre mori konfirmimin për mbështetje dhe gatishmëri për bashkëpunim në çështjet e diskutuara në takim, si dhe fusha tjera ku paraqitet nevoja për bashkëpunim.
/Epoka e re/