Ministri Reçica në ShBA, takohet me sekretarin e shtetit të Iowas
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në shtetin e Iowas.
Në kuadër të kësaj vizite, ministri Reçica është takuar me sekretarin e shtetit të Iowas, Paul D.Pate me të cilin ka diskutuar rreth mundësive të bashkëpunimit nëpërmjet projekteve të shumta nga fusha e punësimit në mes të Kosovës dhe Iowas.
Reçica e ka falënderuar sekretarin D.Pate për gjithë ndihmën që ka dhënë ShBA-ja për krijimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës.
Ministri Reçica e ka informuar sekretarin e shtetit rreth gjendjes në Kosovë duke theksuar faktin se shteti ynë ballafaqohet me shkallë të lartë të papunësisë.
Me këtë rast, ai ka kërkuar nga sekretari D.Pate që të shikohen mundësitë për angazhimin e punëkërkuesve nga Kosova në punësim sezonal ose me kohë të caktuar.
Sekretari Pate me këtë rast ka theksuar se shteti i Iowas është i interesuar që të zgjerojë bashkëpunimin me Kosovën.
Shteti i Iowas është një shtet mik i Kosovës dhe tashmë ka filluar inicimi i realizimit të disa programeve për edukim profesional me DMAAC në Iowa, të cilët do të kontribuojnë në krijimin e fuqisë punëtore të përgatitur me standarde amerikane.
/Epoka e re/