Ministri Reçica: Synojmë riorganizimin e shërbimeve sociale dhe familjare
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka lansuar sot në konsultime publike koncept dokumentin për Shërbime Sociale dhe Familjare.
Gjatë konferencës për medie, ministri i MPMS-së, Skender Reçica, tha se ky koncept dokument ka një ndikim të madh në jetën e qytetarëve, por në veçanti për grupet e cenueshme të kësaj shoqërie.
“Cikli i parë i reformës që kemi ndërmarrë në shumë fusha përmbyllet me këtë koncept dokument me anë të të cilit synojmë riorganizimin e shërbimeve sociale dhe familjare, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe Kornizën Evropiane Vullnetare të Cilësisë për Shërbimet Sociale”, tha ministri Reçica.
Ministri tha se decentralizimi i shërbimeve sociale ka hasur në vështirësi për shkak të mungesës së financimit të këtyre shërbimeve, përkatësisht mungesës së një granti specifik për shërbime sociale. Lidhur me këtë, ai tha se në mbledhjen e fundit të qeverisë është miratuar koncept dokumenti për Financat e Pushtetit Lokal i financuar nga Ministria e Financave dhe në të cilin është paraparë buxhet shtesë për shërbimet sociale dhe familjare në nivel komunal.
Tutje, duke folur për problemet dhe sfidat e evidentuara sa i përket ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare, ministri përmendi mosdefinimin e kompetencave për ofrimin e shërbimeve, mungesa e informimit të qytetarëve për përfitimin e shërbimeve, monitorimi dhe inspektimi i kufizuar i këtyre shërbimeve dhe financimi i pamjaftueshëm nga niveli qendror dhe lokal, si disa nga problemet kryesore.
Me aprovimin e këtij koncept dokumenti për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, ministri tha se synohet të përcaktohen saktë përgjegjësitë dhe kompetencat e institucioneve të nivelit qendror dhe lokal dhe ofruesve të këtyre shërbimeve, të përmirësohet qasja ndaj shërbimeve duke i vendosur ato më pranë qytetarëve, të bëhet klasifikimi dhe organizimi i shërbimeve, të rritet cilësia si dhe të bëhet financimi i qëndrueshëm i këtyre shërbimeve.
Procesi i konsultimeve publike fillon nga sot dhe zgjat deri më 5 dhjetor 2018. Ministri ftoi të gjitha palët e interesuara që të dërgojnë komentet dhe sugjerimet e tyre, me qëllim që të kemi një koncept dokument sa më të mirë dhe të zbatueshëm në praktikë.