Ministri Reçica thotë se është angazhuar për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, ka thënë se nga fillimi i mandatit si ministër ka qenë i përkushtuar për të ofruar trajtim meritor për viktimat e dhunës seksuale.
“Si ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, që në ditët e para të mandatit tim, jam angazhuar me tërë potencialin tim, për t’ju ofruar trajtim meritor institucional viktimave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Reçica konferencën me temën “Përtej Mbështetjes Financiare”, të organizuar nga Fondacioni për Zhvillim të Komunitetit (CDF) në bashkëpunim me “Kosova Women for Women” dhe IPP nga Izraeli.
Fjalimi i plotë i ministrit Reçica në konferencën “Përtej mbështetjes financiare”:
Kjo konferencë me titull: “Përtej mbështetjes financiare”, ka një mision të cilin ne mund ta realizojmë vetëm nëse bashkëveprojmë dhe jemi të përkushtuar.
Vërtetë kjo konferencë është shumë e qëlluar dhe ju përgëzoj për organizimin e saj, sepse po tregohet përkushtimi për të trajtuar një çështje të rëndësishme, ajo e të mbijetuarve të dhunës së luftës së fundit në Kosovë.
Çdo lloj mbështetje ekonomike e ofruar për këtë kategori, përbën një hap të rëndësishëm nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por dilema është nëse aspekti i mbështetjes ekonomike është i mjaftueshëm për këtë kategori?
Si ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, që në ditët e para të mandatit tim, jam angazhuar me tërë potencialin tim, për t’ju ofruar trajtim meritor institucional viktimave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, viktima të cilat disi ishin harruar në margjinat e saja, pa ndjerë dorën e shtetit dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit, më 5 shkurt 2018 ka nisur zyrtarisht procesin e verifikimit dhe njohjes së statusit dhe Sekretaria Shtetërore deri më tani ka pranuar mbi 180 aplikacione. Jemi të vetëdijshëm që kompensimi material lehtëson sado pak kushtet e vështira jetësore, por nuk mjafton të shlyejë plagët e kësaj kategorie.
Ne nuk kemi përfunduar punë këtu dhe nuk jemi ndalur, përkundrazi, jemi të angazhuar me të gjitha kapacitetet, që të mbijetuarat e dhunës së luftës së fundit të gëzojnë edhe shërbime dhe trajtime të mirëfillta shëndetësore, t’ju ofrojmë punësim dhe aftësim profesional dhe rehabilitim jetësor, që të ndjejnë se janë të barabarta në shoqërinë tonë. Ofrimi i mundësive në punësim dhe aftësim profesional, shërbime shëndetësore e fusha të tjera arrihet vetëm në sajë të bashkërendimit të veprimeve të përbashkëta të të gjitha institucioneve.
Së fundmi, MPMS-ja ka hartuar dhe miratuar Strategjinë Sektoriale dhe Planin e Veprimit për zbatimin e kësaj Strategjie dhe një trajtim meritor në këtë Strategji kanë edhe grupet e cenueshme, ato të cilat vështirë gjejnë punë, gratë, të rinjtë dhe në këtë kategori, një vëmendje meritore do të kenë viktimat e dhunës së luftës në Kosovë.
Për të realizuar gjithë këtë mision që kemi para, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet dhe të gjitha organizatat vendore e ndërkombëtare, që të japim kontributin tonë, në shërbim të ofrimit të përkrahjes për këtë kategori dhe gjithë kategoritë tjera në nevojë.
Ritheksoj, se përpjekjet tona për ofrim të mundësive dhe përkrahjes konstante për nënat, gratë, motrat tona dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës në Kosovë, janë të vazhdueshme dhe mbesin të përhershme.