Ministri Selimi premton mbështetje për viktimat e dhunës në familje

08 qershor 2020 | 15:40

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka vizituar të hënën Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve (QMGF) në Prishtinë, me ç’rast është takuar me drejtoreshën e QMGF-së, Zana Asllani si dhe udhëheqësen e UN Women, zyra në Kosovë, Vlora Tuzi-Nushi.

Ministri Selimi në vizitën e parë zyrtare është njoftuar për sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit me strehimoret e viktimave të dhunës në familje. “Kjo është vizita ime e parë zyrtare dhe jo rastësisht e kemi zgjedhur këtë strehimore për ta dërguar mesazhin se dhuna në familje duhet të trajtohet seriozisht. Dhuna në familje është një shqetësim i yni, të cilës do t’i qasemi në mënyrë serioze”, ka thënë ministri Selimi.

Pas përfundimit të takimit, ministri Selimi ka takuar edhe disa nga viktimat e dhunës në familje, që janë të strehuara në këtë qendër.

“Pata rastin gjithashtu të takohem me disa nga viktimat e dhunës që janë të strehuara këtu dhe mesazhi imi ishte: hapi i parë, më i madh dhe më i vështiri është ardhja e viktimave të dhunës në këtë qendër sepse kjo është një shkëputje e zinxhirit të dhunës”, ka thënë ai.

Ministri Selimi ka pohuar se shumë shpejtë do të adresohet edhe çështja e riintegrimit të viktimave të dhunës në familje.

“Sfida më e madhe është ri integrimi i tyre. Besoj që shumë shpejtë në bazë të disa rekomandimeve që kemi bërë bashkë me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, të fillojmë menjëherë që të shikojmë mundësinë e bashkëpunimit me sektorin privat”, ka deklaruar ministri Selimi.

I pari i Ministrisë së Drejtësisë, falënderoi gjithë ata të cilët janë angazhuar në çështjet që kanë të bëjnë me viktimat e dhunës në familje, me theks të veçantë ish-zëvendësministrin Naim Qelaj, njëherësh edhe ish- Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje në Ministrinë e Drejtësisë.

Ndërsa drejtoresha e QMGF-së, Zana Asllani, falënderoi ministrin Selimi për mbështetje, duke shtuar se kjo vizitë tregon gatishmërinë dhe interesimin e institucioneve për të ndihmuar strehimoret e viktimave të dhunës në familje.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipiçe, ka…