Ministri serb i Shëndetësisë: Vuçiqi ishte në rrezik
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si pasojë e problemeve kardiake, të premten e kishte jetën në rrezik, ku edhe ishte shtrirë në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd.
Ministri serb i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar, siç raporton “Tanjug”-u, ka thënë se presidenti serb ka probleme të vogla kronike të zemrës, por se gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar të premten, kur ai vendosi t’i drejtohet VMA-së.
“Pas pranimit në VMA është konstatuar se jeta e presidentit të Serbisë ishte e rrezikuar. Në atë institucion shëndetësor, ekipet mjekësore menjëherë ndërmorën të gjitha masat e nevojshme për të të sanuar gjendjen e tij të rëndë. Pas terapisë së marrë gjendja e Presidentit Vuçiq është përmirësuar”, ka thënë Lonçari.
Sipas tij, ekipet e ekspertëve mjekësore të VMA i kanë rekomanduar presidentit të Serbisë të zvogëlojë aktivitetet e tij të rregullta në periudhën e ardhshme, në mënyrë që të shërohet plotësisht nga gjendja e përkeqësuar shëndetësore, të cilën e kishte të premten.
Ministri serb i Shëndetësisë ka falënderuar ekipet mjekësore të VMA-së, të cilat, sipas tij, “edhe një herë kanë demonstruar ekspertizën dhe profesionalizmin e tyre”.