Ministri Shala e vendos Kosovën në fokus të investitorëve francezë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala mori pjesë në simpoziumin lidhur me investimet në Kosovë, të organizuar nga Klubi afarist France Albanie Bussiness (FAB) dhe Klubi afarist frankofon në Kosovë (KOCAF).
Në fjalimin e tij në këtë simpozium, ministri Shala tha se Kosova si një shtet i ri ka sfida të mëdha përpara vetës, të cilat kanë të bëjnë më shtetndërtimin dhe me krijimin e përvojave apo praktikave në mënyrë që të ecim hapave të sigurt të zhvillimit. Ai shtoi se qeveria e Kosovës po bën hapa të rëndësishëm në adresimin e këtyre sfidave.
“Raporti i fundit i Bankës Botërore ka treguar se ne si MTI kemi bërë reforma të thella në përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe Kosova renditet e 10-ta në botë sa i përket regjistrimit të biznesit”, theksoi ministri Shala.
Gjithashtu ai shtoi se sot, ne jemi në krijim e sipër të një infrastrukture moderne ligjore e cila është në përputhje me të gjitha direktivat evropiane. “Në Kosovë kemi një sistem taksiv më të lehtë dhe më të gjerë në rajon, që po na bën më atraktiv për investitorët e jashtëm. Kosova po vazhdon të krijojë zona ekonomike më të gjithë infrastrukturën përcjellëse për t’iu ofruar kushte sa më të mira bizneseve që janë të interesuara të punojnë në Kosovë. Për Kosovën vendet frankofone, sidomos Franca është ndër partnerët kryesorë politikë dhe ekonomikë të vendit dhe jam i lumtur sot t’ju them se kemi krijuar hapësirë për të rritur bashkëpunimin ekonomik, përmes krijimit të kushteve që këta investitorë ta kenë Kosovën një vend ideal për investime”, potencoi Shala.
Ai bëri të ditur edhe faktin se tashmë është jetësuar Ligjin për investime strategjike dhe se investitori i parë tashmë ka marrë statusin e investitorit strategjik dhe së shpejti do të fillojë investimin në energji me erë. Më tej, ministri Shala sqaroi se Ligji për investime strategjike përmban lehtësira administrative, procedurale dhe investitorët potencialë e kanë rrugën e hapur.
Ministri Shala gjithashtu u shpreh i kënaqur se do të ketë së paku një investitor francez, që do të hyjë si investitor strategjik në kuadër të Ligjit për Investime Strategjike, i cili do të investojë në energji të ripërtritshme, e që do të ndikojë direkt në arritjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian në mënyrë që të arrijmë njëzet për qindëshin e prodhimit të energjisë së ripërtritshme, por po presim edhe më shumë.
Krahas investimeve strategjike, ministri Shala ripohoi se është duke punuar shumë që të rritet tregtia me vendet frankofone dhe tanimë kemi iniciuar bashkëpunimin me vendet e EFTA-së, ku kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi dhe së shpejti do të hapim negociatat për marrëveshje të tregtisë së lirë me këto vende.
Sipas, ministrit këto iniciativa shkojnë paralel me marrëveshjen e stabilizim asociimit që e kemi nënshkruar me Bashkimin Evropian, prandaj jemi të interesuar që të gjitha barrierat tregtare që ekzistojnë në mes vendit tonë dhe vendeve frankofone t’i eliminojmë, në mënyrë që të rrisim tregtinë dhe të balancojmë raportin tregtar. Po ashtu, si prioritet i përhershëm i MTI-së, sipas tij, është bashkëpunimi me ministritë tjera për adresimin e nevojave të bizneseve në mënyrë që të përgatitet fuqia punëtorë në përputhje me kërkesat e tyre.
Në fund të fjalimit të tij, ai edhe njëherë i inkurajoi investitorët dhe këtë forum që të gjejnë mundësinë për të investuar në Kosovë. “Ju them me përgjegjësi të plotë se për çdo lloj vështirësie që keni, unë dhe MTI do të jemi avokati juaj për çdo problem që shfaqet në afarizmin tuaj. Ne do të jemi të gatshëm dhe pranë jush në çdo moment për t’i aprovuar të gjitha kërkesat tuaja dhe t’i japim zgjidhje çdo problemi eventual”, ishte përkrahja dhe inkurajimi i ministrit Shala për investitorët në përgjithësi.
Duke mos harruar, ministri Shala përmendi, para këtij forumi, faktin se Franca është aksionare në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe le t’i rrisim këto aksione edhe me shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës