Ministri Shala: Kënaqësi kur sheh prodhuesit vendorë që janë konkurrues për tregjet e huaja
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka vizituar kompaninë e përpunimit të mishit “Meka”.
Ai ka thënë se është kënaqësi kur sheh prodhuesit vendorë që janë duke krijuar produkte konkurruese edhe për tregjet e huaja.
“Sot isha për vizitë në komunën e Dragashit bashkë me zëvendësministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi në kompaninë e përpunimit të mishit ‘Meka’, që prodhon pashteta, sallamë dhe suxhuk shumë kualitativ. Pronarin e kompanisë “Meka”, Burim Piraj e informova se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me Bankën Botërore kanë filluar një skemë të re për t’iu dalë në ndihmë bizneseve vendore në certifikimin e produkteve për t’i eksportuar në vendet e BE-së”, ka shkruar ministri Shala në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ministri Shala ka vizituar edhe kompaninë “Hit Flores” që grumbullon fruta mali dhe i eksporton në tregjet e huaja.
“Kompanitë si ‘Meka’ dhe ‘Hit Flores’ po ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës, gjë që po i inkurajon të bëjnë investime të reja dhe t’i zgjerojnë kapacitetet prodhuese”, ka thënë Shala.
/Epoka e re /