Ministri Shala në mbështetje të industrisë së ndërtimit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në “Konferencën informuese për legjislacionin e produkteve të ndërtimit” ka theksuar se pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociim dhe hyrjes në fuqi janë hapur rrugë që prodhimet e Republikës së Kosovës të plasohen në tregun evropian.
“Ne si ministri jemi të përkushtuar që të rrisim mbështetjen për këtë industri, në hulumtimin dhe njohjen e tregut, në dizajnimin dhe mbështetjen e prodhuesve për certifikimin e produkteve të tyre me skema të veçanta të subvencioneve përmes KIESA-s, në mënyrë që të rritet konkurrenca për t’iu qasur tregjeve të jashtme që ta përmirësojmë bilancin tregtar. Po ashtu edhe ngritja dhe funksionalizimi i shtyllave të infrastrukturës së cilësisë janë kërkesa të rëndësishme që dalin nga MSA (neni 80), ku Kosova duhet t’i marrë masat e nevojshme në mënyrë që gradualisht të arrijë përputhshmërinë me legjislacionin e BE-së”, u shpreh ministri Shala.
Ai ka shtuar se lidhur me këtë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka ndryshuar së fundmi kornizën ligjore për vlerësim të konformitetit, standardizim, akreditim dhe metrologji dhe njëkohësisht janë duke përafruar legjislacionin sektorial për fushat që janë kompetencë e MTI-së, siç ka thënë Shala duke i dhënë fokus edhe implementimit të tij, si dhe duke u angazhuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe të shërbimeve të shtyllave të infrastrukturës së cilësisë.
Edhe njëherë, ministri Shala ka ritheksuar se Kosova ka bërë një hap të madh përpara dhe me miratimin e Ligjit për Produktet e Ndërtimit, i cili u miratua në nëntor të vitit 2018, e që së shpejti do të hyjë në fuqi, ku do të rregullohen shtyllat e infrastrukturës së cilësisë në fushën e ndërtimit.
Ministri Shala ka sqaruar se ky ligj është vetëm një pjesë e një procesi më të gjerë të zhvillimit nëpër të cilin duhet të kalojmë dhe që ka gjasa të marrë kohë për të përfunduar plotësisht, por megjithatë nëse e zbatojmë siç duhet ky ligj mund të jetë një udhërrëfyes i rëndësishëm për të na ndihmuar në këtë rrugëtim.
/Epoka e re/