Ministri Shala nënshkruan vendimin për ndërtimin e inkubatorit të bizneseve në Skenderaj
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në vazhdën e mbështetjes për bizneset, sot ka nënshkruar vendimin mbi dhënien e pëlqimit për themelimin e inkubatorit në Komunën e Skenderajt.
Ministri Shala theksoi se inkubatori do t’ju shërbejë bizneseve që të kenë kushte sa më të mira të operimit dhe të jenë konkurruese.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke krijuar mundësi për bizneset në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, duke ndërtuar inkubator, dhe zona ekonomike. Inkubatori në Komunën e Skenderajt do të ketë sipërfaqe mbi 9 mijë metra katror dhe është një mundësi e mirë për zhvillimin e afarizmit në këtë komunë”, ka thënë ministri Shala.
Ai ka theksuar se roli i ministrisë është krijimi i kushteve sa më të mira për bizneset, duke punuar shumë në fuqizimin e tyre që të jenë konkurruese.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka financuar edhe ndërtimin e inkubatorit në Komunën e Malishevës, që së shpejto do të jetë funksional.
Po ashtu, MTI-ja është duke vazhduar me ndërtimin e zonave ekonomike, që bizneseve vendore dhe të huaja t’iu krijoj hapësirë të mjaftueshme për të operuar me kosto shumë të lirë.
Investimi në Komunën e Skenderajt do të vazhdojë edhe në projekti të tjera të rëndësishme.
/Epoka e re/