Ministri Shala nisi punimet në zonën ekonomike në Vushtrri
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, bashkë me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahrin, kanë përparuar të premten nisjen e punimeve në Zonën Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë, që është një investim i MTI-së në vlerë prej 1.3 milion euro.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka theksuar se po punohet në përmirësimin e infrastrukturës ligjore duke bërë oferta konkrete për të sjell kompani të mëdha që ta investojnë kapitalin e tyre në Kosovë.
“Po ashtu po krijojmë kushte fizike për bizneset vendore dhe ndërkombëtare në mënyrë që aktivitetet e tyre t’i kenë sa më të lehta dhe në kushte sa më të mira. Duke iu krijuar kushte përmes hapësirave të mjaftueshme fizike dhe lehtësirave konkrete synojmë rritjen e prodhimit vendor, hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë ministri Shala.
Ministri Shala ka theksuar se ndërtimi i zonave ekonomike do të ketë edhe në qytete tjera të Kosovës, me qëllimin që t’iu dalim në ndihmë bizneseve me hapësira fizike dhe qira të lirë.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka theksuar se ky është investimi më i madh në Vushtrri duke e konsideruar si mundësi të jashtëzakonshme për bizneset.
“Sot është lajm i gëzueshëm për Vushtrrinë sepse po ndodhë investimi më i madh në vitet e fundit. Zona Ekonomike ka qenë një prej premtimeve tona kryesore dhe sot me një bashkëpunim të MTI-së dhe KIESA-s, ne kemi filluar punën në zonën ekonomike. Jemi zotuar të tërheqim biznese që vijnë edhe nga diaspora që të krijojmë më shumë hapësirë dhe mbështetje për sektorin privat dhe të kemi zhvillim ekonomik”, ka thënë Tahiri.
/Epoka e re/