Ministri Shala: Patriot është ai që sot hap vende të reja të punës
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në konventën e Klubit të Prodhuesve, ka theksuar nevojën që produktet vendore të konsumohen nga qytetarët.
Shala ka thënë se patriot është ai që hap vende pune dhe konsumon produkte vendore që ndikon në fuqizimin e ekonomisë.
“Ju përshëndes dhe përgëzoj për këtë organizim, i cili është i pari i llojit të tillë. Falë bashkëpunimit me Klubin e Prodhueseve të Kosovës kemi arritur që sot të jemi këtu për të u njoftuar sadopak me sfidat që po përcjellin prodhuesin vendor. Të nderuar biznese, dje ishte 28 Nëntori, një datë e shënuar në të gjitha trojet shqiptare. Uroj të gjithë shqiptarët, dhe shpresoj që kjo datë të na shërbej si arsye e rritjes së vetëdijes që ta duam tonën. Është kënaqësi kur sheh që përkrahja e produkteve vendore nga ana e qytetarëve ka marr përmasa të jashtëzakonshme. Patriot për mua është ai që sot, hap vende të reja të punës, konsumon produkte vendore, dhe ndikon në fuqizimin e ekonomisë së Kosovës, e më këto ndikon në mos ikjen e të rinjve tanë nga vendi”, ka thënë ministri Shala.
Shala ka thënë se prodhuesit vendor sot janë në një pozitë më të mirë se në të kaluarën, duke shtuar se ky fakt e gëzon, pasi ndikon edhe në bilancin tregtar që e ka Kosova.
“Dua të ndalem në disa pika që besoj janë të rëndësishme për t’u nënvizuar. Diçka që ka rëndësi është se sot, krahasuar me vitet e mëparshme prodhuesit vendor janë në një pozitë më të favorshme, dhe kjo mua më gëzon shumë sepse kur forcohen prodhuesit tonë, edhe shteti i Kosovës edhe ekonomia forcohet. Po ashtu forcimi i prodhuesve vendor ndikon në rritjen e punësimit dhe përmirësimit të bilancit tregtar, të cilin po punojmë shumë ta ndryshojmë”, ka thënë ministri Shala.
Shala iu ka dhënë mbështetje prodhuesve vendor, duke iu premtuar se do të jetë krah i tyre që Kosova të bëhet model i zhvillimit, por ka kërkuar edhe rritje të cilësisë së produkteve.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e angazhuar shumë që të jetë krah i prodhuesve vendor, duke punuar bashkërisht që Kosovën ta bëjmë model për zhvillim. Po punojmë shumë që të kemi një ekonomi bazuar tek nxitja e investimeve prodhuese dhe tek një vizion i ri për mënyrën se si Kosova mund të shfrytëzojë potencialet që i ka konsumatori ynë, partnerët tanë tregtarë, nuk duhet ta kenë asnjë dilemë sa i përket cilësisë së produkteve tona. Prandaj unë kërkoj nga ju ta rrisni cilësinë, e cila ka shumë rëndësi sot, por po ashtu bëj apel tek qytetarët që të konsumojnë produkte vendore”, ka thekuar Shala.
Ministri ka vlerësuar se kur produktet vendore konsumohen, kjo ndikon edhe në ndryshimin e statistikave, rrjedhimisht përmirësimin e ekonomisë.
“Kur produktet vendore konsumohen, kjo na mundëson që të shikojmë se çfarë ka ndodhur realisht me ekonomin e Kosovës, që sigurisht do të ndikoj drejtpërsëdrejti në përmirësimin e statistikave. Unë sot jam këtu për t’iu dhënë mesazhin se do t’iu dëgjoj në kërkesat që I keni dhe do të jem I gatshëm t’iu përgjigjem shqetësimeve tuaja kurdo që është nevoja. E jona është të krijojmë kushte, e juaja është ta rrisni cilësinë dhe kur këto bëhen bashkë garantojnë 100 për qind suksesin”, ka përfunduar Shala.
/Epoka e re/