Ministri Sveçla: As që bëhet fjalë për rikthimin e policëve serbë në Policinë e Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës komenton kërkesën e presidentit të Serbisë për kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) të dielen, duke folur rreth kërkesës për rikthimin e policëve serbë që kanë dhënë dorëheqje në vitin 2022 pas presionit nga Serbia, ka thënë se nuk ekziston asnjë mundësi që ata të rikthehen sërish në Policinë e Kosovës.
Anëtarët e komunitetit serb në veri të vendit kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor 2022. Megjithatë, ndonëse vetë i ka detyruar serbët të braktisin institucionet, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka bërë thirrje së fundi që të dorëhequrit të kthehen në punë.
“As që bëhet fjalë që të plotësohet kërkesa e Vuçiçit që ish-policët të kthehen në radhët e Policisë së Kosovës. Kjo jo vetëm se është shkelje ligjore, por është edhe shkelje e vullnetit politik të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ministri kosovar në panelin e organizuar nga LVV-ja rreth politikave të mbrojtjes dhe sigurisë.
Ai ka folur edhe rreth sulmit terrorist e paramilitar në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës. Aktakuzën për rastin “Banjska” ministri Sveçla e ka konsideruar të mangët, ngase sipas tij, nuk i përfshin disa zyrtarë të lartë të ushtrisë serbe, përfshirë edhe presidentin e Serbisë.
“Prandaj, aktakuza ndaj këtij grupi terrorist jo vetëm se është e vonshme, por është edhe e mangët për shkak se nuk përfshin komandantin e kazermës ku është trajnuar ky grup terrorist, zëvendëskomandantin dhe komandantin e ushtrisë së Serbisë, nëse jo edhe vetë Vuçiçin”, ka nënvizuar ministri Sveçla duke folur rreth kësaj çështjeje.
Në përgjithësi, ministri Sveçla ka nënvizuar se pavarësisht disavantazheve për shkak të situatës gjeopolitike në botë pas agresionit rus në Ukrainë, autoritetet kosovare kanë arritur sukses në parandalimin e aneksimit të 17 për qind të territorit të Kosovës.