Ministri Sveçla e shkarkon nga detyra bashkëluftëtarin e Adem Jasharit, Fadil Kodrën
Fadil Kodra, bashkëluftëtar i Adem Jasharit e familjar i komandantit të shquar, Ilaz Kodrës, është shkarkuar nga pozita që mbante si ushtrues detyre i Drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.
Lajmin për shkarkimin nga detyra të Kodrës e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në një përgjigje me shkrim për Paparacin.
Ju njoftojmë se Ministri Sveçla e ka shkarkuar dje nga detyra z. Kodra. Për korrektësi, z. Kodra ka qenë në funksionin e tij me vendim si Ushtrues Detyre i Drejtorit dhe jo Drejtor i Përgjithshëm i AME-së”, ka thënë një zëdhënëse e MPB-së.
Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, ushtruesi i detyrës së agjencisë nuk mund të shërbejë në funksion në periudhë prej më shumë se tre muajve nga skadimi i mandatit si drejtor.
Fadil Kodra ka shërbyer si udhëheqës i agjencisë që menaxhon me njësitë e zjarrfikësve që nga viti 2010, kur ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria “Thaçi 1”.
Për shtatë vjet, Kodra shërbeu si Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ndërkaq në pesë vitet e fundit ka ushtruar pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci.
Kohë më parë nga puna ishte suspenduar edhe bashkëshortja e Ilaz Kodrës, që kishte punuar në Postën e Kosovës.