Ministri Sveçla po qëndron për vizitë zyrtare në Francë

21 qershor 2021 | 16:01

Ministri i Punëve të Brendshme,  Xhelal Sveçla, po qëndron sot në një vizitë zyrtare në Republikën e Francës, ku u takua me Drejtorin për Evropë Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Ambasadorin Frédéric Mondoloni.

Me këtë rast, Sveçla ka falënderuar  Mondoloni, për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria franceze si një partner i afërt dhe strategjik i Kosovës, veçanërisht  Ministria e Punëve të Jashtme e Francës për mbështetjen në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Ministri Sveçla ka konfirmuar zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si një ndër prioritetet kryesore, si dhe kërkoi edhe më tej përkrahjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, për të forcuar kështu luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe rritjen e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Theks të veçantë i’u kushtua edhe rëndësisë së liberalizimit të vizave, duke ritheksuar kërkesën që qytetarët e Kosovës të mos mbeten qytetarët e vetëm të izoluar në Ballkan.

Ndërsa Ambasadori Frédéric Mondoloni, ka rikonfirmuar vullnetin e Francës për të vazhduar dhe forcuar bashkëpunimin në mes të dy vendeve, duke u shprehur i lumtur që Qeveria e Kosovës është stabile dhe ka prioritet forcimin e shtetit, përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ngritjes së kapaciteteve shtetërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Prishtinës, Endrit Krasniqi ka thënë se kundërshtarin nuk…