Ministri Sveçla: Serbisë s’i zihet besë – prezenca e shtuar e KFOR-it do të ishte e mirëseardhur
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një intervistë për televizionin shqiptar “Syri“, ka thënë se shtimi i prezencës së misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, posaçërisht përgjatë vijës kufitare me Serbinë, do të ishte e mirëseardhur.
“Mos të harrojmë se është përgjegjësi e KFOR-it ta monitorojë vijën kufitare Kosovë – Serbi. Sipas Marrëveshjes së Kumanovës, policia e Kosovës mund t’i ofrohet kësaj vije më së afërti 1 kilometër. Kjo paraqet vështirësi shtesë për policinë e Kosovës. Edhe ne mendojmë se rritja e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it në vijën kufitare me Serbinë do të ishte e mirëseardhur”.
Ai ka theksuar se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit që banohet kryesisht me serbë etnikë, me mbështetjen logjistike të Serbisë, sipas dyshimeve edhe përfshirjes së Rusisë, mund të përsëritet, ngase siç ka shtuar, presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe autoriteteve në Beograd “nuk i zihet besë assesi”.
“Ky skenar nuk përjashtohet se do të përsëritet. Fatmirësisht ata u ndanë jashtëzakonisht keq pas reagimit jashtëzakonisht profesional të policisë së Kosovës dhe kjo i jep shpresën se ata janë dëmtuar aq sa mos të provojnë sërish, por Serbisë, Aleksandër Vuçiçit dhe qeverisë së tij nuk i zihet besë assesi”, ka potencuar ministri Sveçla.
Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për organizimin dhe financimin e grupit terrorist nën udhëheqjen e kriminelit serb të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Millan Radoiçiç, që sipas autoriteteve në Prishtinë, qëllim final kishte aneksimin e pjesës veriore të Kosovës.