Ministri Sveçla shikoi nga afër fillimin e zbatimit të marrëveshjes për targat

04 tetor 2021 | 16:01

Sot në orët e hershme të mëngjesit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, për të parë nga afër fillimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, që ka të bëjë me vendosjen e targave të përkohshme të cilat do të jenë në formën e stikersave.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se së bashku me policinë kanë bërë përgatitjet e nevojshme, si në aspektin e angazhimit të resurseve njerëzore, po ashtu edhe të atyre administrative e logjistike, ku bëjnë pjesë edhe stikersat, në mënyrë që të fillojë me kohë zbatimi i marrëveshjes dhe të iu mundësohet qytetarëve pajisja më e shpejtë për të lëvizur me automjetet e tyre pa problem.

Zbatimi i marrëveshjes ka filluar pa asnjë problem në nivel vendi dhe në të gjitha pikat kufitare dhe për këtë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të kujdesen që zbatimi të vazhdojë në këtë formë.

Ministri Sveçla ka falënderuar zyrtarët e të gjitha institucioneve, në veçanti zyrtaret e policisë për punën e palodhshme dhe angazhimin e pakursyer në interes të vendit, sigurisë nacionale dhe zbatimit të marrëveshjes.

Image preview

Njëkohësisht ministri gjatë vizitës dhe takimit me udhëheqësit e dy pikave kufitare, përfshirë udhëheqësin e stacionit të ri të zyrtarëve kufitar, u zotua se do të vazhdojë përkrahjen dhe mbështetjen në krijimin e infrastrukturës dhe kushteve më të mira për punë.

Vizita të ngjashme në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, ministri iu bëri edhe disa njësiteve policore, të cilat ishin në patrullime në kryerje të detyrës zyrtare.

Gjatë kësaj vizite u kërkua që Policia e Kosovës të vazhdojë me angazhime konkrete në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë, parandalimin e krimit ndërkufitar dhe kontrabandës, si dhe mundësimin e qarkullimit e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, e në veçanti për kufij të hapur, mirë të kontrolluar dhe të sigurt.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e…