Ministri Tahiri: Drejtësia s’do të jetë më barrë për bizneset
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur të premten në takim një delegacion nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, të udhëhequr nga përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së për Kosovën, Ruud Vermeulen.
Gjatë këtij takimi, ministri Tahiri ka njoftuar përfaqësuesit e FMN-së lidhur me reformat e ndërmarra në sektorin e drejtësisë, përkatësisht agjendën legjislative, procesin e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit dhe agjendën e përbashkët me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial, “Drejtësia 2020”.
Ministri Tahiri ka shpalosur hapat që janë ndërmarrë në rrafshin legjislativ që garantojnë një transparencë dhe efikasitet më të madh në punën e organeve të pavarura të zbatimit të ligjit, si dhe planin për reduktimin e lëndëve të pazgjidhura dhe çështjeve të tjera që janë përsëritur me vite.
Tahiri ka njoftuar përfaqësuesit e FMN-së për politikat që ndërlidhen me fuqizimin dhe modernizimin e profesioneve të lira, si mekanizma të rëndësishëm për qasje të shpejtë në drejtësi, veçanërisht në drejtësinë që ndërlidhet me sektorin e biznesit.
Në këtë kontekst, ministri Tahiri ka theksuar angazhimin që ka që sektori i sundimit të ligjit të mos jetë barrë për bizneset dhe për ekonominë e vendit, por të ndihmoj në zgjidhjen e shpejtë të mosmarrëveshjeve edhe përmes ndërmjetësuesve dhe profesioneve tjera ligjore.
Ndërsa, përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së për Kosovën, Ruud Vermeulen, ka shprehur konsideratë për reformat e ndërmarra dhe inkurajoi që të vazhdohet edhe më tej me këto reforma, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të FMN-së, me theks të veçantë në krimin e një klime të përshtatshme për të bërit biznes në Republikën e Kosovës, ku një parakusht i rëndësishëm për këtë është edhe sistemi efikas dhe i përgjegjshëm i drejtësisë.
/Epoka e re/