Ministri Tahiri kërkon mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur në takim një delegacion nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme e Gjermanisë, kryesuar nga Sekretari Parlamentar i Shtetit në këtë ministri, Stephan Mayer.
Ministri Tahiri ka shprehur konsideratën e lartë për kontributin që Gjermania ka dhënë në gjithë procesin e shtetndërtimit të Kosovës, duke theksuar se përveç raporteve të shkëlqyera diplomatike, dy vendet kanë lidhje edhe sociale dhe ekonomike.
Për më shumë, ministri Tahiri ka theksuar se Kosova e ndjek gjithmonë shembullin gjerman të demokratizimit dhe zhvillimit, si referencë, në të gjitha reformat që ndërmerr.
Mbështetja e shtetit gjerman, sipas ministrit Tahiri, është jetike në përmbushjen e aspiratave integruese të vendit, andaj ka kërkuar që kjo mbështetje të vazhdoj edhe për procesin e liberalizimit të vizave, për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe për t’iu dhënë atyre mundësinë e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.
Ministri Tahiri ka theksuar se janë përmbushur të gjitha obligimet e dala nga Agjenda e Reformave Evropiane, dhe procesi i liberalizimit të vizave, duke potencuar se janë ndërmarrë reforma strukturore të sektorit të sundimit të ligjit, përmes Rishikimit Funksional si dhe agjendës “Drejtësia 2020”, si dhe reformën legjislative, me pakon e ligjeve për gjyqësorin, pakon e ligjeve kundër korrupsionit, ndryshimet në politikat penale dhe ato të pronësisë.
Këto ndryshime, sipas ministrit Tahiri, do të mundësojnë që sistemi i drejtësisë në Kosovë të jetë funksional, efikas, profesional dhe i depolitizuar, duke ofruar shërbime të shpejta për gjithë qytetarët në gjithë territorin e vendit.