Ministri Tahiri kërkon të sillen para drejtësisë ata që sulmuan gruan rome
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka dënuar sulmin fizik ndaj një qytetareje rome dhe ka ftuar organet e rendit që t’i sjellin para drejtësisë personat përgjegjës.
Ai ka thënë se akte të tilla nuk mund të tolerohen as sot dhe as në të ardhmen.
“Në Republikën e Kosovës, barazia është parim themelor dhe diskriminimi mbi çfarëdo baze është i pa tolerueshëm. Ne duhet ta luftojmë diskriminimin, e kjo është pikërisht ajo çfarë duhet të bëjmë edhe në rastin e qytetares sonë të komunitetit rom, që dje ishte viktimë e personave të papërgjegjshëm. E dënoj aktin e sulmit fizik dhe njollosjes së integritetit të kësaj qytetareje dhe ftoj organet e rendit që të vendosin para përgjegjësisë personat që ushtruan dhunë ndaj saj. Akte të tilla nuk mund të tolerohen as sot dhe as në të ardhmen. Kemi bërë shumë rrugë dhe askush dhe asgjë s’do na kthejë prapa nga materializimi i shoqërisë tonë shumë etnike, tolerante dhe të barabartë. Diversiteti ynë shoqëror është pasuria jonë dhe ne do ta mbrojmë me çdo kusht”, ka shkruar ministri Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/