Ministri Tahiri: Liberalizimi i vizave i jep fund izolimit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim deputetet e Bundestagut gjerman, Katja Keul dhe Filiz Polat, të cilat kanë qenë të shoqëruara nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Chirstian Heldt.
Tahiri ka theksuar se prioritet në punën e tij ka pasur përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave, duke u angazhuar në forcimin e legjislacionit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Për Kosovën dhe qytetarët e saj, liberalizimi i vizave nënkupton dy gjëra: një hap përpara në procesin e integrimit evropian dhe krijimin e një platforme për t’i dhënë fund izolimit dhe iu jep qytetarëve tanë mundësinë e zgjerimit të pikëpamjeve të tyre, duke u takuar dhe duke njohur kultura tjera, duke njohur nga afër vlerat evropiane” ka thënë Tahiri.
Më tutje, ai përmendur punën që është bërë në pakon e ligjeve për gjyqësorin dhe pakon kundër korrupsionit, duke theksuar se për të gjitha këto ligje, janë angazhuar ekspertë të shumtë.
“Liberalizimi i vizave nënkupton se Kosova ka dëshmuar se ka kapacitet në arritjen e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që në fund nënkupton jetë më e mirë për qytetarët tanë, gjyqësor më të fuqishëm dhe më efikas dhe respekt absolut për të drejtat njerëzore”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka njoftuar delegacionin gjerman edhe për ndryshimet në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Civil, si dhe ligjet tjera të nxjerra nga Agjenda e Reformave Evropiane.
/Epoka e re/