Ministri Tahiri: Nuk mund të ketë demokraci liberale pa liri të shprehjes
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se kushti themelor i demokracisë është liria dhe ndër tiparet themelore të lirisë është shprehja e lirë.
Ai ka deklaruar se nuk mund të ketë demokraci liberale pa liri të shprehjes.
“Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, sot e gjen shoqërinë dhe mediet tona në një stad shumë më të avancuar. Megjithatë na duhet ende punë, dialog, transparencë dhe respekt për të garantuar një ambient të sigurt për funksionimin e mirëfilltë të këtij profesioni fisnik. Sot, i bashkohemi ndërgjegjësimit për mbështetjen e gazetarëve dhe medieve për punën e tyre të shenjtë, plotësisht të vetëdijshëm se ky ndërgjegjësim duhet të jetë përditshmëri e jona. Si ministër i Drejtësisë dhe si pjesë e politikës aktive, do të angazhohem për bashkëpunim të plotë me mediet, si shtylla kyçe në mbrojtje të interesit publik të Republikës së Kosovës dhe shoqërisë tonë në përgjithësi. Informimi i drejtë, i saktë dhe në kohë, janë vlera të cilat kemi përgjegjësi t’i mbrojmë pa kompromis”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/