Ministri Tahiri: Do ta rrisim efikasitetin e gjyqësorit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i shoqëruar nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kanë vizituar të enjten Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku janë pritur në takim nga kryetarja e kësaj Gjykate, Afërdita Bytyçi.
Ministri Tahiri ka theksuar se vizita ka të bëjë me raportin pozitiv nga Komisioni Evropian për përmbushjen e të gjitha kushteve për liberalizimin e vizave, meqenëse Gjykata Themelore e Prishtinës ka bartur barrën kryesore në procesin e rasteve të shënjëstruara.
“Kemi ardhur sot që t’i falënderojmë, që punën e gjyqësorit po e sjellin në një standard të ri, në një dimension të ri, dhe jam shumë i lumtur që tani e tutje vetëm sa do ta rrisim efikasitetin e gjyqësorit”, ka thënë Tahiri.
Ministri Tahiri ka theksuar se ky raport pozitiv është shtysë e madhe që të punohet më tutje që gjyqësori të plotësoj pritjet dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. “Ne nuk do të vetëkënaqemi. Edhe më tutje do të angazhohemi që të kemi një gjyqësor sa më profesional, sa më efikas, i cili është në përputhje të plotë me pritjet dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur ministri Tahiri.
Ndërkaq kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi, ka bërë me dije se raporti i KE-së ka motivuar gjyqësorin që lëndët e kësaj natyre të trajtohen me prioritet edhe në të ardhmen, ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka potencuar rëndësinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve, në të mirë të interesit të qytetarëve.
/Epoka e re/